Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, vlerëson se argumentet e ZPS-së vazhdojnë të karakterizohen nga selektiviteti dhe përzgjedhjet e vazhdueshme.
Ellis, gjatë fjalës së tij, tha seProkuroria përzgjodhi fragmente që i shkojnë për shtati teorisë së saj për çka u shpreh se është shtrembërim dhe jo analizë, njofton Dukagjini.
“Prokuroria përzgjodhi fragmente që i shkojnë për shtati teorisë së saj, ndërkohë që nuk mori parasysh fare sqarimet me gojë si dhe dëshmi shfajësuese dhe të pakundërshtuara nga vetë dëshmitarë të Prokurorisë. Kjo nuk është analizë, kjo është shtrembërim”, deklaroi Ellis.
Ellis, mes tjerash, hodhi poshtë pretendimet e ZPS-së se Krasniqi ishte epror i Bislim Zyrapit.
Ai tha se vetë Zyrapi ka pranuar se ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit”, tha ai, duke përmendur këtu Naim Malokun, Sokol Bashton dhe Rrustem Mustafën.
Sipas tij, ZPS po tenton të minimizojë rolin e Zyrapit, duke pretenduar se dëshmia e Zyrapit se Krasniqi ishte epror i tij është i pabazuar.