Thaçi: Jam plotësisht i pafajshëm, i vetmi kundërshtar i imi ishte Millosheviqi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur fjalimin përmbyllës para trupit gjykues në Hagë, duke deklaruar se është plotësisht i pafajshëm.

“Të nderuar gjyqtarët për gati tri vite në këtë sallë gjyqi dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm – por e kam thënë dhe e them sërish me bindje të plotë se unë bashkëndjej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë pamarparasysh përfaqësinë e tyre etnike”, deklaroi Thaçi në Hagë.

Në deklarim, Thaçi ka përkujtuar edhe periudhën kur ishte student në Zvicër, duke thënë se nuk kishte plane për marrjen e pushtetit dhe se planet për dhunë dhe gjenocid në Kosovë u hartuan nga regjimi i Slbodan Millosheviqit, që siç tha Thaçi, e kishte dënuar atë në mungesë, njësoj si edhe liderët e tjerë botërorë, njofton Dukagjini.

“Në kohën e masakrave në Qirez, Likoshan e Prekaz në fillimit të vitit 1998, isha student në Universitetin e  Cyrihut dhe unë nuk po bëja plane si ta marr kontrollin e Kosovës, por bëja plane se si t’i përgatisja provimet në universitet. I vetmi njeri i cili po bënte plane morpide ishte Sllobodan Millosheviqi, plane për një gjenocid tjetër e të ri në Kosovë. Prandaj, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë edhe unë më herët u detyrova ta lëshoj Kosovën sepse regjimi i Millosheviqit më kishte ndjekur dhe dënuar në mungesë me arsyet se i kisha shkelur ligjet e tij diskriminuese”, tha Thaçi.

Mes tjerash, Thaçi u shpreh se vendimin për t’u kthyer në Kosovë ishte totalisht personal dhe për të njëjtin ishte i motivuar nga dëshira për të kontribuar për lirinë e vendit.

“Duke parë masakrat në vendin tim, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të vij në Kosovë dhe të bëj atë që do të bënte secili prej jush. Për këtë jam krenar dhe nuk pendohem asnjëherë. Është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave, si dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë”, ka thënë ai.

Sipas Thaçit, kundërshtari i vetëm i tij dhe i UÇK-së ishte regjimi i Millosheviqit.

“Këto akuza janë shumë të rënda. Gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë, prej orës në orë, prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time, gruan dhe djalin e porsalindur e lërë me të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht… Fakti që jemi gjallë ishte fat. U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit”, përfundoi ai.

LEXO EDHE:

Veseli nga Haga: Drejtësia mund të vonohet por jo të mohohet, i kam shërbyer vendit tim

Selimi: Historia e Kosovës s’mund të rishkruhet, akuzat ndaj nesh janë të pabazuara

Krasniqi nga Haga: Qëndroj para jush jo si kriminel, por si njeri i lindur dhe i kalitur nga luftërat

Të fundit nga rubrika