Presidentja, Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas takimit inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington, duke theksuar angazhimin e Kosovës përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve ndërkombëtarë.
“Bashkë me Amerikën dhe aleatë të tjerë – për paqen, për sigurinë, për të ardhmen!”, ka shkruar Osmani,
Deklarata e saj vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri të ditur se vendet aleate kanë kontribuuar me 7 miliardë dollarë për të ndihmuar Gazën dhe se pesë shtete, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, janë zotuar të dërgojnë trupa në një forcë ndërkombëtare të sigurisë në Gazë.
Në takimin e parë të Bordit të Paqes, të mbajtur në Washington, D.C., Trump theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për stabilitet dhe siguri, duke përmendur Kosovën si një ndër vendet që ka shprehur gatishmëri për të kontribuar me trupa ushtarake.
Kosova është ndër anëtaret themeluese të Bordit të Paqes, i cili u themelua më 22 janar në Davos, në Switzerland, në prezencë të presidentit Trump. Bordi përbëhet nga 27 anëtarë dhe synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për paqe dhe siguri globale.
