Buxheti i Prishtinës përfshihet në projekt-buxhetin 2026 – LDK tërheq amendamentin

Buxheti i Prishtinës është përfshirë në projekt-buxhetin për vitin 2026, me propozim të Ministrisë së Financave. Ndonëse pati debate rreth autorësisë dhe meritave për përfshirjen e komunës, ishte vet Besian Mustafa i LDK-së i cili tërhoqi amandamentin me arsyetimin se pati pajtueshmëri rreth çështjes.

Me 10 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka kaluar propozimi për përfshirjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës, në projekt-buxhetin e këtij viti.

Çështja e buxhetit riktheu kritikat e Komunës në drejtim të Qeverisë, dhe për këtë çështje, sot në Komisionin për Buxhet, u paralajmërua një amandament nga LDK, përmes deputetit Besian Mustafa.

Megjithatë, propozimit të tij ia parapriu ai i Ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Duke marrë parasysh që ditën e sotme ne duhet t’i përmbyllim çështjet e amandamenteve, komuna e Zubin Potokut mbetet që të trajtohet sapo ta kompletojnë procedurën, e dorëzojnë njoftimin dhe buxhetin tek Ministria e Financave, me ç’rast pastaj ne si ministri e procedojmë në qeveri, mbledhje të qeverisë dhe nga qeveria vjen në kuvend dhe trajtohet si ndryshim-plotësim pra i shtohet ligjit të buxhetit tabela e Zubin Potokut. Por sa i përket Prishtinës, komunës së Prishtinës dhe komunës së Shtimes, këto komuna tashmë kanë përmbushur të gjitha detyrimet dhe janë të gatshme që të përfshihen. Prandaj rekomandimi i Ministrisë së Financave do të ishte që komisioni pra të propozojë si amandament tek pjesa tabelare pra përditësimin e tabelave të këtyre dy komunave ashtu siç janë miratuar në kuvendet komunale dhe janë dorëzuar tek Ministria e Financave”, ka thënë Murati.

Pas kalimit të këtij propozimi, Mustafa hoqi dorë nga iniciativa e tij por, jo pa një arsyetim.

“Kërkesa ime ka qenë të shtojmë një nen ku aplikohet ministri që të bëjë përshtatjen e tabelave të nevojshme buxhetore…për të përfshirë buxhetin e Prishtinës në buxhetin për vitin 2026 të miratuar në Kuvendin Komunal. Pasi që patëm pajtushmëri të gjerë…po e tërheq këtë amandament”, ka thënë Mustafa.

Përveç për Prishtinën, Komisioni për Buxhet ka miratuar edhe propozimin e Ministrisë së Financave për përfshirjen e buxhetrit për Shtimes, derisa ajo e Zubin Potokut mbetet në pritje të përmbushjes së procedurave të parapara ligjore.

Të fundit nga rubrika