Kurti në AKI: Inteligjenca në vijën e parë të mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës

Kryeministri i Albin Kurti ka vizituar Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku është pritur nga drejtori Petrit Ajeti, stafi drejtues dhe zyrtarë të tjerë të institucionit.

Vizita u zhvillua me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 17-vjetorit të themelimit të AKI-së. Me këtë rast u ndanë certifikata për zyrtarët e rinj dhe u përurua një objekt modern brenda kompleksit të AKI-së.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se inteligjenca mbetet një nga hallkat më të rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit të vendit, duke garantuar që Republika të jetë e përgatitur për çdo sfidë dhe të marrë vendime të informuara.

Ai nënvizoi se, në kuadër të prioriteteve për mbështetjen e sektorit të sigurisë, AKI ka gëzuar mbështetje të vazhdueshme nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfshirë rritje të konsiderueshme të buxhetit, dhe se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen.

Kryeministri vlerësoi avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve teknologjike, analitike dhe operative të AKI-së, duke theksuar përshtatjen me realitetin e ri të sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, sukseset e AKI-së në vitet e fundit kanë kontribuar në forcimin e sigurisë kombëtare dhe rajonale, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe shërbimet partnere. Ai përmendi trajtimin profesional të kërcënimeve nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi, radikalizmi dhe krimi i organizuar.

Në përfundim, Kryeministri shprehu mirënjohje dhe respekt për stafin drejtues dhe të gjithë zyrtarët e AKI-së, duke theksuar se ata shërbejnë me përkushtim dhe atdhedashuri në një profesion që është mision, shpesh në heshtje, por gjithmonë në mbrojtje të Republikës dhe qytetarëve të saj.

Të fundit nga rubrika