Nga viti 2022 deri në 2024, njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Prishtinë i janë shpërndarë 541 informata e raporte inteligjente që kishin të bënin me trafikimin me narkotikë.
Por shumë mbeten pa zgjidhje e pa informacione se çka u bë me to.
Kjo është evidentuar në raportin e inspektimit për njësinë e hetimit të narkotikëve në Policinë e Kosovës, të bërë nga Inspektorati Policor.
“Numri i informatave që kanë përfunduar me raste është 220 sosh, derisa për 321 të tjera nuk ka gjetje, ose janë ende aktive. Në drejtim të rritjes së efikasitetit në trajtimin e secilit raport inteligjent apo informatë, IPK është njohur me faktin se është i nevojshëm kthimi i informatave kthyese për ZAS-in, meqë numri i tyre mbetet i ulët. Sipas ZAS, numri i informatave kthyese për raportet e pranuara inteligjente nga Njësia në fjalë është i ulët (35 nga 541 sosh për tre vite). IPK ka vërejtur se duhet të ngritet shkëmbimi i informatave, me këtë edhe kthimi i tyre tek ZAS mbi hapat e ndërmarrë lidhur me raportet inteligjente, në drejtim të rritjes edhe të efikasitetit në trajtimin e rasteve”, thuhet nga raporti i IPK.
Sipas këtij raporti, zyrtarët policor asnjëherë nuk e bëjnë planifikimin në fazën e hetimeve, teksa thuhet se vërehet angazhim i mangët për zbatimin e te gjitha masave të fshehta.
“Vihet në pah se vetëm në njërën prej 15 mostrave, Gjykata kishte lëshuar disa herë urdhra mbi zbatimin e masave të veçanta hetimore, përfshirë këtu: përgjimin e telekomunikimeve dhe përdorimin e lexuesit IMSI – Identifikimi ndërkombëtar i shfrytëzuesit mobil, shfrytëzimin e mjeteve për përcjellje me anë të pajisjes GPS, monitorimin e fshehtë të bisedave në vende private (veturë), vëzhgimin e fshehtë fotografik ose me video në vende publike dhe monitorimin e fshehtë të bisedave në vende private. Inspektim vë në pah se hetuesit e rastit kanë raportuar tek Prokurori i Shtetit brenda afateve mbi zbatimin e njërës prej masave të urdhëruara, kurse për masat tjera kanë raportuar për pamundësinë e zbatimit të tyre, me arsyetim se të dyshuarit kanë lëvizur me mjete të ndryshme”.
E në rekomandimin e parë dhënë për institucionet përgjegjëse, thuhet se duhet të vendosen mekanizma të brendshëm të kontrollit, që hetuesit të mos kenë qasje në informacione të klasifikuara pa kaluar verifikimin e sigurisë.
“IPK i rekomandon Shefit të Njësisë të Hetimit të Narkotikëve – Prishtinë që të vendosë mekanizma të brendshëm të kontrollit, për të siguruar që hetuesit të mos kenë qasje në informacione të klasifikuara, pa kaluar verifikimin e sigurisë dhe pa u pajisur me certifikatë valide të sigurisë për nivele përkatëse”.
Ky raport i publikuar në fund të janarit, vë në pah se njësia që heton drogat, funksionon konform strukturës organizative dhe gjendja me burime njerëzore është e përmbushur në masë të madhe.