Art Haliti 7-muajsh ka nevojë për ndihmë, i duhen 30 mijë euro për shërim në Austri

Prindërit e vogëlushit 7-muajsh, Art Haliti, kanë bërë një apel publik për ndihmë financiare për trajtimin e paralizës së pleksusit brakial që djali i tyre pësoi gjatë lindjes.

Sipas prindërve, Arti nuk ka mundur të lëvizë krahun që nga ditët e para të jetës, duke i krijuar sfida të mëdha për zhvillimin e tij. Pas konsultave me specialistë jashtë Kosovës, familja mori një rekomandim urgjent nga një spital i specializuar në Vjenë ku thuhet se operacioni duhet kryer sa më shpejt, gjatë periudhës kritike të moshës 6–9 muajsh, për të rritur mundësinë e rikuperimit të funksionit të krahut.

Arti aktualisht është 7 muajsh.

Kostoja e operacionit dhe e qëndrimit katërditor në spital vlerësohet rreth 30,000 euro — një shifër që për familjen është e papërballueshme.

Operacioni nuk kryhet në vend, dhe prindërit bëjnë thirrje për ndihmë nga qytetarët dhe organizatat që mund të kontribuojnë për shërimin e djalit të tyre.

“Ky operacion është shpresa jonë që Arti një ditë të mund të ngrejë krahun, të luajë lirshëm me fëmijët e tjerë dhe të rritet me pavarësi dhe vetëbesim. Çdo donacion, sado i vogël, na afron më pranë këtij qëllimi.”, thuhet në letrën e Trimi dhe Fortuna Haliti.

KLIKONI KËTU PËR TA NDIHMUAR

 

Të fundit nga rubrika