Banorët e Distriktit 6 në Kabul u zgjuan të enjten mbrëma nga një shpërthim i fuqishëm që tronditi shtëpitë e tyre. Ata dolën me nxitim në rrugë, ndërsa mbi qytet dëgjoheshin avionë luftarakë.
Nata shënoi një përshkallëzim serioz të dhunës mes Afganistanit dhe Pakistanit.
Pakistani ndërmori sulme ajrore brenda territorit afgan, përfshirë edhe kryeqytetin Kabul, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Objektiva të tjera u goditën në provincat Paktia dhe Kandahar, kjo e fundit bastion dhe vendlindje e lëvizjes talebane.
Kush e nisi përplasjen?
Tensionet mes dy vendeve kanë zgjatur prej muajsh, por përgjigjja se kush e nisi përshkallëzimin varet nga pala që pyetet.
Qeveria talebane në Kabul deklaroi se kishte nisur një operacion të madh tokësor kundër pozicioneve ushtarake pakistaneze pranë kufirit, duke pretenduar se kishte marrë nën kontroll disa poste dhe se kishte vrarë e kapur ushtarë pakistanezë.
Sipas talebanëve, këto ishin “operacione hakmarrëse”, në përgjigje të asaj që ata e quajtën inkursion të forcave pakistaneze në territorin afgan, shkelje të sovranitetit dhe vrasje të civilëve, përfshirë gra dhe fëmijë.
Ata i referoheshin një vale sulmesh ajrore pakistaneze më 21 shkurt, që goditën provincat lindore Nangarhar dhe Paktika. Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se ka raporte të besueshme për 13 civilë afganë të vrarë në ato sulme.
Qëndrimi i Pakistanit
Islamabadi mohon se ka shënjestruar civilë. Sipas autoriteteve pakistaneze, objektivat kanë qenë strehë të militantëve të Tehreek-i-Taliban Pakistan (TTP), i njohur si talebanët pakistanezë, që qeveria e Pakistanit i referohet si “Fitna al Khawarij”.
Pakistani pretendon se ka “prova përfundimtare” që TTP qëndron pas një serie sulmesh brenda vendit, përfshirë një atentat vetëvrasës ndaj një xhamie shiite në Islamabad ku humbën jetën mbi 30 persona. Edhe pse sulmi u mor përsipër nga grupi i Shtetit Islamik (IS), Pakistani këmbëngul se përgjegjës është TTP.
Islamabadi akuzon gjithashtu se sulmet drejtohen nga udhëheqës të TTP-së që veprojnë nga territori afgan, me mbështetjen e qeverisë talebane—akuzë që Kabuli e mohon, duke theksuar se territori i tij nuk përdoret për të kërcënuar asnjë shtet.
Përpjekjet për ndërmjetësim
Përplasja e fundit e madhe mes dy fqinjëve ndodhi në tetor 2025, me disa ditë sulmesh ndërkufitare dhe bombardime ajrore. Katarit dhe Turqisë ndërmjetësuan bisedime në Doha dhe Stamboll, duke arritur një armëpushim të brishtë.
Megjithatë, negociatat nuk sollën një ndalim të qëndrueshëm të armiqësive, me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën për mungesë serioziteti.
Balanca ushtarake dhe rreziku i përshkallëzimit
Nga pikëpamja ushtarake, Pakistani ka epërsi të dukshme, me qindra tanke, avionë luftarakë dhe teknologji të avancuar mbrojtjeje. Qeveria talebane disponon pajisje të mbetura nga forcat e mëparshme afgane dhe ato ndërkombëtare, si dhe raportohet se ka siguruar armatime përmes tregut të zi.
Deri tani nuk ka prova se Afganistani ka kapacitet për të kryer sulme ajrore të thella brenda Pakistanit. Megjithatë, talebanët kanë përvojë të gjatë në luftë guerile, pas më shumë se dy dekadash përballjeje me SHBA-në dhe aleatët e saj të NATO-s.
Në përplasjet e fundit, ata kanë përdorur edhe dronë për të goditur objektiva në Pakistan—një element që mund të ndryshojë natyrën e konfliktit.
Pasojat për civilët
Vlerësimi i situatës mbetet i vështirë për shkak të mungesës së informacionit të verifikuar nga zonat kufitare. Qasja e gazetarëve të huaj në Afganistan është e kufizuar, ndërsa edhe në Pakistan raportimi i pavarur nga këto zona është i vështirë.
Tregtia mes dy vendeve është e ndërprerë që nga tetori 2025—mbyllja më e gjatë ndër dekada—duke goditur bizneset e vogla në Afganistan dhe furnizimin me mallra thelbësore, përfshirë ilaçet.
Për shumë afganë, të lodhur nga varfëria dhe kriza e urisë, një nga të paktat lehtësime pas vitit 2021 ishte fakti se nuk kishin më frikë nga bombardimet e përditshme.
Por dhuna e gjashtë muajve të fundit ka tronditur sërish ndjenjën e sigurisë që sapo kishte nisur të rikthehej.