Prej vitesh, banorët e fshatit Rimanishtë të Prishtinës përballen me mungesën e rrjetit të ujësjellësit.
Hall i përditshëm për ta mbetet sfida për të siguruar ujë dhe funksionimi i opsioneve alternative, siç janë puset.
Ndonëse është e pamundshme të rastisësh në një shtëpi në këtë fshat që nuk posedon një pus, shumica prej tyre siç tregojnë banorët, janë tharë.
Kërkesën e kamotshme të banorëve të ujësjellësin, Komuna ka vendosur ta përfshijë në buxhetin e këtij viti.
Si kategori aty është përfshirë “furnizimi me ujësjellës përmes puseve dhe rezervuarëve për fshatrat e Gollakut”, për të cilën janë planifikuar 100 mijë euro.
E se sa është të nevojshëm e kanë këtë projekt, tregojnë banorët.
“Kena pas probleme shumë këtë kohën e fundit. Sivjet, du me jau tregu një shembull, këto lagje i kanë hap diku 20-30 pusa, a e di sa ka kushtu ajo? Kanë shku dikun 20-30 metra, minimum 20. Nuk është zgjidhje se puset pa rrymë s’po bëjnë se janë me hidrofor, i ngjesin, si t’nalet rryma ato nuk funksionojnë. Kanë probleme gjithë. E ka fut buxhet dhe e kanë fol sidomos në zgjedhje, janë deklaruar gjithmonë se do t’i bëjnë të mundshme. Do ishte fenomenale ta bëjnë të mundshme”, ka thënë Abit Arifi – Banor i fshatit Rimanishtë.
Në situatën aktuale, banorët thonë se u janë rënduar xhepat.
“Nuk ka ujësjellës, krejt duhet me puse përveç ujit për pije. Realisht, Po dëmtohen banorët e fshatit, po duhet me ble. Ka njerëz që është dasht me bajt ujë me cisternë se bunari iu ka shterë”, ka thënë Arsim Lahu – Banor i fshatit Rimanishtë.
Lahu thekson se ky projekt është i mirëseardhur për ta.
“Mendoj që është arsye se i përkasim këtij kryeqyteti. Kur nalesh, 15 km larg dhe me mbet pa gjana bazike, pa ujë është e pakuptimtë. Besoj është vonë se do duhej kryer më herët po kurdo që kryhet për neve është i mirëseardhur”, ka thënë Arsim Lahu – Banor i fshatit Rimanishtë.
Televizioni ka pyetur Komunën rreth planeve për nisjen e punimeve, përmasat e tyre në fshatra dhe përfshirjen në rrjetin qendror, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkaq Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka deklaruar se nuk ka informata lidhur me çështjen.
