Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se mungesa e konsensusit politik për zgjedhjen e presidentit e bën procesin jashtëzakonisht të vështirë dhe paralajmëroi se, nëse shkohet në garë pa marrëveshje, vendi rrezikon zgjedhje të reja.
Pas takimit konsultativ me kryeministrin Albin Kurti, Abdixhiku tha se LDK-ja nuk është për garë, por për një emër konsensual që do të siguronte unitetin e nevojshëm parlamentar.
“Kur ka garë e s’ka konsensus, është vështirë të bëhen 80 vota. Gara ka kuptim kur janë 61 vota në dispozicion, por kur duhen 81, duhet konsensus dhe unitet, dhe kjo nuk është arritur. Për garë, është procedurë e parapacaktuar për të dështuar, por nëse vendosin LVV dhe PDK të ketë garë, shkojmë në zgjedhje sepse nuk e dimë se si i bëjnë 81 vota. Konsensusi bën president. LDK ka qenë e angazhuar të gjejë president, një emër konsensual, jo zgjatim të qeverisjes. Pra të gjejë një emër konsensual, jo zgjatim të qeverisë, pra të mos jetë vazhdimësi e qeverisë sidomos për një qeveri që ka 51% të votave, presidenti do të duhej të ishte një kundërbalancë. Nuk ka emër, nuk ka proces konsultativ tutje sa po kuptoj dhe tani duhet të presim dy-tri ditët e ardhshme për të kuptuar”, tha ai.
Sipas tij, presidenti duhet të jetë figurë uniteti dhe jo zgjatim i qeverisë aktuale.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja ka qenë e angazhuar për të gjetur një emër konsensual.
“Ishte takimi i dytë në vargun e takimeve konsultative që kam zhvilluar me të gjitha partitë politike në Kosovë. Më parë, siç e dini, sot një javë edhe me zotin Kurti, më parë edhe me kryetarin e PDK-së Hamza, dhe me kryetarin e AAK-së Haradinaj. Ishte vazhdimësi pra, e një takimi paraprak por që në thelb reflekton në këtë periudhë të kaluar shtatëditore. Të them të drejtën, e shoh shumë, shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare. Nuk ka ndonjë kandidat specifik në këtë fazë që na është prezantuar.
Në këtë periudhë, me autorizimet që kam marrë nga Kuvendi i LDK-së, do t’i kthehem grupit parlamentar dhe do t’i raportoj, njoftoj të gjithë ata për zhvillimet e fundit politike dhe diskutimet që kemi pasur unë si kryetar i LDK-së me tri partitë politike në Republikën e Kosovës. Pra, e shoh të vështirë konsensusin. Nuk ka ndonjë emër që na është prezantuar. Nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK-ja me 15 deputetë as mund të caktojë emër për kandidat në këtë fazë, e besoj as mund të nominojë dot sepse siç e dini duhen 20 nënshkrime për këtë fazë. Le të presim deri më datën 5 mars, ditën e Epopesë së UÇK-së, për të kuptuar se çfarë fati do të ketë institucioni më i lartë i vendit”, tha ai.
“Edhe një herë ritheksojmë se është e domosdoshme, do të duhej të ishte e domosdoshme të kishim unitet, të kishim një emër që përfaqëson unitetin popullor që të mos jetë zgjatim i qeverisë. Por në këtë fazë duket se konsensusi politik brenda partive politike është i pamundur. Natyrisht kur s’ka konsensus do të ketë garë, por garën LDK-ja nuk e preferon si të tillë sepse rezultati dihet. Kur ka garë e s’ka konsensus është vështirë të bëhen 80 vota. Pra gara ka kuptim, gara ka kuptim kur janë 61 vota në dispozicion, por kur duhen 80 duhet konsensus në thelb. Këtë s’e kemi arritur”, shtoi Abdixhiku.