Katër komisione parlamentare do të mblidhen sot, e martë, për të shqyrtuar një sërë çështjesh.
Në orën 10:00 pritet të mblidhet Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Në rend dite janë miratimi i fushëveprimit të komisionit si dhe inicimi i procedurave lidhur me auditimin e pasqyrave vjetore financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2024, 2025 dhe 2026.
Po në orën 10:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji. Anëtarët e këtij komisioni do të shqyrtojnë Projektligjin nr.10/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkaq, në orën 11:00, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të shqyrtojë draft-planin e punës për sesionin pranveror të vitit 2026.
Në orën 11:30 do të mblidhet edhe Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport, ku në rend dite është miratimi i fushëveprimit të komisionit, përveç pikave të zakonshme procedurale.
Në të gjitha mbledhjet parashihet edhe shqyrtimi i pikës “Të ndryshme”.