Ambasada e Republikës së Kosovës në Doha ka njoftuar se autoritetet e Shtetit të Katarit kanë vendosur të mbulojnë shpenzimet e akomodimit në hotel për turistët që janë bllokuar dhe nuk mund të largohen nga vendi për shkak të kufizimeve të përkohshme të udhëtimit.
Sipas njoftimit, vendimi ka hyrë në fuqi më 28 shkurt dhe do të mbetet në zbatim deri në rifillimin e operacioneve në aeroport dhe rihapjen e hapësirës ajrore.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Katar të qëndrojnë të qetë, të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve vendase dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
Po ashtu, përfaqësia diplomatike bën të ditur se do të vijojë të monitorojë nga afër zhvillimet dhe do të informojë qytetarët për çdo të dhënë shtesë në vijim.