A po e “heq qafe” Kurti Osmanin? – Momentet vendimtare për kreun e shtetit

Në shtatorin e para dy vitesh në një intervistë për “Kallxo Përnime”, presidentja Vjosa Osmani kishte thënë se ende nuk kishte vendosur nëse do të kandidonte për një mandat të dytë në vitin 2026.

Në këtë intervistë Osmani theksonte se kishte shumë faktorë për t’u shqyrtuar dhe se rrjedhat e politikës ishin të paparashikueshme.

Por dy vjet e gjysmë më vonë, me Osmanin që dëshiron edhe një mandat të dytë në krye të shtetit raportet me kryeministrin Albin Kurtin janë ftohur dukshëm.

Teksa lëvizjet për zgjedhjen e presidentit janë intensifikuar në orët e fundit, në opinion publik po përforcohet bindja se Kurti po e “heq qafe” Osmanin.

Por, çka thoshte atëbotë Osmani. 

“A mendon që ke me vazhdu me qenë n’politikë pas postit të presidentes?”, u pyet presidentja Osmani.

“Nuk m’heqin qafe edhe aq lehtë”, u përgjigj shkurt Osmani.

Osmani në intervistën e vitit 2024 kishte theksuar se kandidimi i saj i parë nuk kishte qenë ekskluzivisht i Lëvizjes Vetëvendosje, por rezultat i një bashkimi forcash.

Ajo kujtonte se votat ishin të përbashkëta dhe se mbështetja mes saj dhe Kurtit kishte qenë reciproke.

“Jo, sepse edhe kandidimi nuk ka qenë i Vetëvendosjes herën e kalume, ka qenë i përbashkët, dorën në zemër, sepse kur patëm kandidu n’damas, unë i pata marrë diku 200 mijë vota, diku 225 mijë Vetëvendosja, po kur u bashkuam pastaj, i bonëm 440 mijë vota…

Ajo çka po them unë është se ajo ka qenë forcë e përbashkët, rezultat i përbashkët. Rrjedhimisht, edhe ne të dy [Osmani dhe Kurti] kemi qenë në krye të fushatës, kandidat për president dhe për kryeministër, pra e kemi përkrahë njëri-tjetrin, sepse kur po përkthehet “jo, ty t’ka përkrahë Vetëvendosja”. Po kadale, se reciproke ka qenë kjo gjë. Reciproke ka qenë kjo gjë. I kemi bashku forcat dhe besoj se kemi arritë një rezultat t’mirë”, kishte thënë Osmani.

Në orët vendimtare për mbledhjen e 30 nënshkrimeve të nevojshme për një kandidaturë, në skenë ka dalë emri i Glauk Konjufcës si kandidat i mundshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.

Zyrtarë të partisë nuk kanë konfirmuar zyrtarisht asgjë, por as nuk kanë mohuar mundësinë e një kandidature alternative.

Ndërkaq, në një takim që kanë pasur Kurti dhe Osmani, nuk duket që ka shkuar aq mirë.

Për këtë autori i emisionit Debat Plus, Ermal Panduri, ka dhënë detaje.

“Albin Kurti i ka thënë Vjosa Osmani nuk të kandidoj për me qenë presidente”, ka thënë Panduri mbrëmë në Debat Plus.

Mandati pesëvjeçar i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 5 mars për ta zgjedhur presidentin e ri.

Nëse Kuvendi dështon ta bëjë këtë brenda afatit, sipas disa njohësve kushtetueses, vendi rrezikon të përballet me zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Në dy rundet e para të votimit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi, ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika