Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në kuadër të hetimeve intensive dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre persona të dyshuar për 48 orë, lidhur me një rast të sulmit fizik të dyshuar ndaj gazetarit Burim Pacolli.
Në mesin e të ndaluarve është edhe reperi i njohur me nofkën “Mossi”, i cili sipas Prokurorisë dyshohet për kryerjen e disa veprave penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, si dhe “Kanosje”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se, në kuadër të hetimeve intensive dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre (3) persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Njëri nga të dyshuarit është edhe reperi i njohur me nofkë ‘’Mossi’’, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, sipas nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprës penale ‘’Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’, sipas nenit 269 të KPRK-së, si dhe veprës penale ‘’Kanosje’’, sipas nenit 181 të KPRK-së.
Të dyshuarit janë ndaluar lidhur me një rast të sulmit fizik të dyshuar ndaj gazetarit Burim Pacolli.
Prokurori i shtetit, brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në trajtimin me prioritet të rasteve që cenojnë sigurinë dhe integritetin e qytetarëve, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në përputhje me kompetencat e saj”, thuhet në njoftim.