Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve tavan për produktet e naftës në Kosovë.
Sipas saj, ky vendim ka ardhur pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si pasojë e situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme.
Në njoftim thuhet se vendimi është marrë pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
Sipas ministres, është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes në vend.
“Sot nënshkrova vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme.
Ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor.
Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes.
Marzha tregtare maksimale e lejuar:
Shitja me shumicë: deri në 2 eurocentë për litër
Shitja me pakicë: deri në 12 eurocentë për litër
Inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi.
Llogaritja e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4, paragrafi 1.1 dhe 1.2, të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse.
Duke u bazuar në analizën e situatës në treg dhe në kompetencat ligjore të Ministrisë, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Çdo shkelje apo moszbatim i këtij vendimi do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.
Ky vendim synon të sigurojë konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të konsumatorëve në tregun e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kusari-Lila.