Një operacion ndërkombëtar kundër krimit kibernetik, i koordinuar nga EUROPOL dhe në të cilin mori pjesë edhe Kosova, ka rezultuar me arrestimin e tre personave në Kosovë.
Operacioni u zhvillua të martën, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, në tri qytete Vushtrri, Obiliq dhe Ferizaj.
Sipas Prokurorisë Speciale, janë ndaluar për 48 orë personat A.R., A.K. dhe R.H., të dyshuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar në sistem kompjuterik” dhe “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.
Hetimet tregojnë se gjatë periudhës 2023–2025, të dyshuarit kanë shfrytëzuar njohuritë teknologjike për të siguruar në mënyrë të kundërligjshme të dhëna personale, financiare dhe kredenciale, të cilat më pas i kanë publikuar në platformën online LEAKBASE.IO për shitje dhe përfitim material, duke i mundësuar përdorimin e tyre për qëllime kriminale.
Si prova materiale janë sekuestruar: 3 laptopë, 5 shtëpiza kompjuteri, 6 telefona mobilë, 2 pajisje memorizuese
Operacioni në Kosovë është pjesë e një aksioni të koordinuar ndërkombëtarisht (OP LEAK), i zhvilluar njëkohësisht në SHBA, Britani të Madhe, Australi, Gjermani, Rumani, Poloni, Portugali, Kanada, Malajzi, Greqi, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.