Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se Shqipëria mbetet e sigurt falë statusit të saj si anëtare e NATO.
Gjatë podkastit të tij “Flasim”, Rama u shpreh se vendi ndjek me shqetësim situatën e krijuar në rajon, duke theksuar solidaritetin me shtetet e prekura si Qipro, Greqia dhe Turqia.
Ai tha se Shqipëria është e prekur politikisht dhe njerëzisht nga përshkallëzimi i tensioneve në rajon, ku vendi ka marrëdhënie të forta me shumë shtete partnere.
Sipas tij, situata në Lindjen e Mesme mbetet e ndërlikuar dhe e vështirë për t’u parashikuar, ndërsa përmendi ofensivën e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në aleancë me Izraelin për të ndaluar mundësinë që regjimi i Iran të zhvillojë armë bërthamore.
Rama theksoi gjithashtu se prioritet për institucionet shqiptare mbetet siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në rajon.
“Kjo është një situatë që kërkon qetësi, kujdes, informim vazhdueshëm nga burimet zyrtare. Ndërkohë që ne jemi solidarë me të gjitha vendet e prekura, përfshi pa diskutim, edhe Qipron, një vend mik, i cili po ashtu u godit, edhe Greqinë në shenjë të fortë solidariteti për çka ndodh në Qipro, po njëkohësisht edhe Turqinë në të njëjtën kohë që po ashtu u tentua të goditej nga një raketë e neutralizuar menjëherë nga forcat e NATO-s. Përsa i takon Shqipërisë, ka pasur lloj-lloj thashethemesh dhe spekulimesh, dhe interesante është që, ndryshe nga vendet e tjera në Shqipëri, të keqen më të madhe ne e kemi brenda dhe burimin më të madh të dezinformimit, të gënjeshtrave, të deformimit të informacionit, ne ndryshe nga të tjerët, nuk kemi pse e kërkojmë gjetkë, sepse e kemi këtu. Dhe nga këtu është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë. Por, ju kujtoj të gjithëve që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, me gjithë keqardhjen për të keqen, që me siguri nuk e ka aspak problem, nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe ndonjë sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kotë dhe siç thonë tironsit, “ondrrën në beze”, se do të përmbyset i ashtuquajturi “regjimi i Edi Ramës”, u shpreh Rama.
“Situata mbetet e ndërlikuar, vështirë të parashihet fundi i një ofensive të nisur me plotë të drejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në aleancë të ngushtë me Izraelin për të ndaluar njëherë e mirë mundësinë që regjimi obskurantist i Republikës khomeiniste të Iranit të prodhojë bombën atomike”, ka thënë Rama.
Në këtë moment sigurisht edhe për ne si për shumë vende të tjera prioritet kryesor është siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në ato vende, përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullatat në rajon janë në kontakt të vazhdueshme qoftë me ne, qoftë me autoritetet vendase, po bëjnë gjithçka për ta monitoruar situatën, për të informuar dhe për të asistuar. Ndërkohë që, çështja kyç e fluturimeve mbetet një sfidë për të gjithë”, u shpreh Rama.