DOKUMENT / Kongresistë dhe senatorë amerikanë letër Rubios: Mos kufizoni trupat amerikane në Kosovë

Një grup kongresmenësh dhe senatorësh amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke shprehur shqetësim për raportimet se administrata e presidentit Donald Trump mund të reduktojë praninë e trupave amerikane në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ligjvënësit paralajmërojnë se një tërheqje e parakohshme mund të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë veçanërisht Bosnje dhe Hercegovinën.

“Çdo reduktim i personelit ushtarak amerikan mund të ketë implikime të konsiderueshme jo vetëm për aftësitë operacionale të forcës paqeruajtëse, por edhe të dobësojë rolin e KFOR-it si një pengesë politike në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë… Për më tepër, një prani e reduktuar e SHBA-së mund të inkurajojë aktorët që e shohin mosangazhimin perëndimor si një mundësi për të mbjellë trazira”, thuhet në letër.

Ata theksojnë se ruajtja e niveleve aktuale të trupave amerikane është thelbësore për mbrojtjen e interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe për parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve në rajon.

Letra gjithashtu paralajmëron për rrezikun që mund të krijojë një tërheqje amerikane ndaj forcave nacionaliste dhe separatiste në rajon, përfshirë liderin e entitetit Republika Srpska, Milorad Dodik, si dhe ndikimin destabilizues të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Ligjvënësit i kanë bërë thirrje Departamentit të Shtetit që çdo vendim për ndryshimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë të koordinohet ngushtë me Kongresin dhe të merren parasysh implikimet për stabilitetin rajonal.

Në letër janë nënshkruar kongresistët dhe senatorët: Michael R. Turner, Brendan F. Boyle, Gregory W. Meeks, Rick Larsen, Jeanne Shaheen, Charles Grassley, Thom Tillis, Roger Wicker, Ann Wagner, Chris Van Hollen, Joni Ernst dhe Peter Welch.

Të fundit nga rubrika