Rrustemi: Data e zgjedhjeve më 28 dhjetor ishte në favor të qytetarëve, jo të Vetëvendosjes

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, në një intervistë për Ekonomia Online ka komentuar deklaratat e fundit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani lidhur me datën e zgjedhjeve dhe reagimet që pasuan në skenën politike. Ai ka folur edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit duke përmendur se emri i Osmanit kishte qenë një nga propozimet për këtë post në përpjekje për të siguruar mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Ndonëse Osmani i kishte bërë qefin liderit të VV-së, Albin Kurti që data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të jetë 28 dhjetori, por kështu nuk e sheh Rrustemi, pasi që sipas tij, kjo datë ishte në favor të qytetarëve të Kosovës dhe jo të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Së pari nuk e kuptoj pse opozita e përjeton si padrejtësi caktimin e një date të tillë të zgjedhjeve që e favorizon qytetarin e Republikës së Kosovës apo që garanton pjesëmarrjen më të madhe në zgjedhje. E dyta, nuk e kuptoj pse përjetohet si favor ndaj Vetëvendosjes, një datë e cila në fakt ishte në favor të shumicës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ku jetojnë ata. Kur caktohet data e zgjedhjeve gjithmonë merren parasysh dy faktorë, dy elemente thelbësore: e para, kapaciteti i institucionit që i organizon zgjedhjet, që në rastin konkret është KQZ, dhe e dyta, një datë e përshtatshme për pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhje. Nëse 28 dhjetori ka qenë dita që u ka përshtatur më së miri qytetarëve të Kosovës kudo që të jetojnë ata, në Kosovë apo jashtë, unë nuk e kuptoj pse përjetohet si padrejtësi nga opozita dhe si favor, në anën tjetër, për Vetëvendosjen nga ana e presidentes së Republikës. Domethënë thjesht është përmbushur detyra, përgjegjësia kushtetuese e presidentit për të caktuar një datë sa më të përshtatshme të zgjedhjeve që i shërben qytetarëve. Dhe domethënë, nëse ka qenë një datë e tillë që i ka garantuar pjesëmarrjen masive të qytetarëve me të drejtë vote, atëherë është përmbushur përgjegjësia”, tha ai.

Gjithashtu Osmani tha se Kurti e ka shkelur Kushtetutën disa herë, deputeti u shpreh se nuk ka dijeni se për çfarë e ka pasur fjalën presidentja.

“Nuk e di për çfarë e ka pasur fjalën, kjo është më shumë pyetje për Presidenten e Republikës, por sido që të jetë nuk mund të arsyetohet një shkelje e rëndë e kushtetutës, siç është kjo e Presidentes së Republikës, me referenca të tilla të institucioneve të tjera. Domethënë secili e ka përgjegjësinë e tij apo të saj të përmbushë detyrën me përgjegjësi të plotë dhe duke respektuar kushtetutën. E veçanërisht Presidentja i Republikës. Në anën tjetër më leni të them që, në kuptimin kushtetues të rendit tonë, shkelje të kushtetutës bën vetëm Presidenti i Republikës. Qeveria, kryeministri, parlamenti, organe të tjera publike, lokale, qendrore mund të nxjerrin akte të cilat mund të mos jenë në tërësinë e tyre në përputhje me kushtetutën. Por për këto ekzistojnë mekanizmat e adresimit dhe të përmirësimit, të plotësimit e të përshtatjes e të harmonizimit. Domethënë shkelje të kushtetutës bën vetëm Presidenti i Republikës. Ndërkohë që institucionet e tjera mund të nxjerrin akte në përditshmërinë e tyre, brenda kompetencave të tyre, që në ndonjë pikë, ndonjë element, në ndonjë paragraf, në ndonjë rresht nuk është krejt në përputhje me kushtetutën, por ekziston mekanizmi për ta parandaluar duke dërguar në gjykatë kushtetuese dhe duke e kthyer për ta plotësuar ose për ta përmirësuar ose për ta modifikuar. Domethënë, e para nuk mund të përdoret si justifikim, e dyta është që është paralele e pabazuar”, u shpreh ai.

U stërfol se pati një prishje të raportit ndërmjet presidentes dhe kryeministrit, por Rrustemi këtë nuk e konsideron si ndarje të rrugëve, duke thënë se “varet nga cila prespektivë e sheh”.

“Jo, e para nuk e konsideroj krisje, domethënë varet se si, nga cila perspektivë e sheh. Thjesht, në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në rrethanat të cilat kemi qenë, dhe në mungesën e votave për të garantuar pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në sallë, në proces të votimit, ne kemi konsideruar që kandidimi i zonjës Osmani krahas kandidimit të zotit Konjufca e maksimizon ose e zgjeron bazën e pjesëmarrjes së deputetëve nga krahë të ndryshëm të spektrit politik, dhe kësisoj i rrit gjasat që të kemi 80 deputetë në sallë dhe natyrisht t’i shmangemi zgjedhjeve të parakohshme dhe të kemi një president. Cilido që do të zgjidhej natyrisht do të ishte në rregull edhe për nga profili edhe për nga background-i i tyre edhe politik edhe profesional. Ne kemi qenë në dispozicion, i kemi ofruar nënshkrimet zonjës Osmani, natyrisht pa paragjykuar as rezultatin dhe pa pasur qëndrim në këtë fazë. Por edhe në këto takimet që ka pasur Kryeministri Kurti me liderët e dy partive politike, natyrisht, përveç se ka pasur propozime nga ana e tyre, të emrave të përveçëm, ne kemi testuar vullnetin dhe gatishmërinë e tyre edhe për emra të caktuar përfshirë edhe për zonjën Osmani. Dhe kundërshtimi ka qenë i vendosur i të dy partive politike. Thjesht nuk kanë qenë votat për zonjën Osmani”, thotë ai.

Rrustemi u rezervua për deklarime të mëtutjeshme lidhur me Osmanin pasi ajo ende është presidente aktuale.

“Domethënë mund të shtrohet pyetja që nuk janë as për zotin Konjufca. Është e vërtetë, por ne e kemi besuar dhe kemi hyrë në këtë proces, pa kalkulime elektorale dhe pa u instrumentalizuar le të themi as të opinionit publik as të palëve, por duke besuar që kandidimi i zotit Konjufca krahas zonjës Osmani, apo anasjelltas, i rrit gjasat për kuorum, për pjesëmarrje të 80 deputetëve së paku dhe kësisoj për zgjedhjen e presidentit të republikës.

Pjesa tjetër natyrisht unë do të kursehem në deklarime për shkak se zonja Osmani është presidente ende, në fuqi të plotë deri me 4 prill, domethënë zonja Osmani është presidente e republikës, dhe si e tillë natyrisht edhe duhet të respektohet por natyrisht edhe komunikimi duhet të jetë brenda kësaj kornize institucionale. Pastaj pas 4, 5 prillit nëse kalojmë në një rrafsh tjetër politik mund të kemi edhe diskutime të tjera. Por që, thjesht për mos ta përsëritur, nuk kanë qenë votat, nuk ka pasur vullnet, nuk ka pasur gatishmëri nga opozita. Dhe kjo situata po dëshmon, po e konfirmon këtë”, thotë ai.

Rrustemi insiston se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ishte antikushtetues.

“Po, në radhë të parë, Gjykata Kushtetuese me vendimin e fundit për masën e përkohshme, në radhë të parë ka pezulluar dekretin e Presidentit, dekretin antikushtetues për shpërndarjen e Kuvendit, që do të prodhonte pasoja të parikuperueshme, të pakthyeshme dhe që do të cenonte natyrisht edhe të drejtat, në rastin konkret të deputetëve të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, por edhe do të pakësonte, do të thosha unë, edhe të drejtat e vetë institucioneve publike qendrore. Natyrisht ka qenë e domosdoshme për të dërguar kërkesë edhe qeveria për të njëjtën çështje, për dekretin e Presidentes së Republikës, sepse dekreti ka cenuar ose ka prekur, ose ka kufizuar edhe veprimtarinë e qeverisë mbi bazën e dekretit antikushtetues të Presidentes së Republikës së Kosovës. Atë mëngjesin e hershëm të datës 6 mars, në fakt Kuvendi i Kosovës nuk ekzistonte, qeveria e zgjedhur ishte shndërruar papritmas në qeveri në detyrë dhe deputetët nuk e dinin se a janë apo jo deputetë”, tha ai.

Sa i përket zgjedhjeve të reja, Rrustemi u shpreh se opozitës nuk i konvenojnë por se tentojnë për ulje të LVV-së.

“Tash, se kujt i konvenojnë, duket që strategjia e veprimit të opozitës është për të, jo për t’u angazhuar politikisht siç bëjnë zakonisht partitë politike tipike për të bindur qytetarët që t’i votojnë ata, por kanë një qasje që karakterizohet nga negacioni. Domethënë, ata duan thjesht të besojnë që është me rëndësi që të shkohet në zgjedhje me shpresë se zvogëlohet sado pak Lëvizja Vetëvendosje, jo pse rriten ata domosdoshmërisht. Domethënë, ata nuk besojnë që ka mundësi që t’i fitojnë zgjedhjet dhe nuk hyjnë as nuk shkojnë në zgjedhje për t’i fituar, por thjesht shkojnë në zgjedhje me shpresë se Vetëvendosja do të dobësohet sado pak. Gjithçka është në funksion të pamundësimit të qeverisjes së Vetëvendosjes, jo në funksion të ofrimit të një alternative të tyre për të fituar dhe për të qeverisur. Domethënë, kjo është e dukshme, kjo është parë vitin e kaluar”, shtoi ai./EO

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika