Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka nisur një takim dyditor të përbashkët të kabinetit qeveritar, me qëllim hartimin e programit të ri të qeverisjes, duke u bazuar në zotimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore.
Kurti theksoi se rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit 2025 përfaqëson një besim të madh të qytetarëve ndaj qeverisjes së tij dhe se sipas tij, qeveria nuk garoi me premtime të përkohshme, por me angazhime konkrete që synojnë të realizohen gjatë mandatit.
“Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, qytetarët na dhanë një besim të paparë në Kosovën e pasluftës. Ne kërkuam besimin qytetar për ta kthyer atë në siguri e begati. Nuk garuam me premtime që harrohen, por me zotime që jetësohen. Në dritë të kësaj, sot kemi filluar një takim të përbashkët të kabinetit tonë qeveritar, i cili do të vazhdojë për dy ditë rresht, me qëllim që zotimet e fushatës para qytetarëve dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve t’i shndërrojmë në program qeverisës”.
Kryeministri bëri të ditur se takimi i kabinetit do të zgjasë dy ditë dhe do të shërbejë për të shndërruar zotimet e fushatës dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve në një program të detajuar qeverisës.
Ai shtoi se ky program do të përkthehet në plane konkrete me projekte, objektiva dhe strategji që do të realizohen gjatë mandatit të qeverisë.