Një person është arrestuar në Mitrovicë nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar, pasi dyshohet se ka lënduar dy zyrtarë policorë gjatë një ndërhyrjeje të policisë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 14 mars 2026 rreth orës 02:07, në rrugën “Shala e Bajgorës”, te hyrja e terminalit doganor.
I dyshuari, mashkull kosovar, nuk i kishte zbatuar urdhrat e zyrtarëve policorë dhe me veturën e tij kishte vazhduar lëvizjen në drejtim të Prishtinës, me ç’rast ka lënduar dy policë, të cilët më pas kanë pranuar trajtim mjekësor.
Policia bën të ditur se automjeti me targa vendore ishte ndaluar fillimisht pasi brenda tij ishte gjetur mall duhani i dyshuar si i kontrabanduar, ndërsa drejtuesi ishte urdhëruar të paraqitej në terminalin doganor.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është duke u hetuar nga autoritetet përkatëse.
