Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosova dhe Bashkimi Evropian lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt.
Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar se për një periudhë të caktuar do të njihen dokumentet e serbëve të lëshuara nga strukturat ilegale, në kuadër të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Përmes një reagimi në Facebook, ambasadori Hargreaves përgëzoi kryeministrin Kurti për angazhimin në arritjen dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“Mbretëria e Bashkuar mirëpret marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe BE-së mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Marrëveshja respekton kornizën ligjore të Kosovës, duke ofruar zgjidhje praktike për të gjitha komunitetet që të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në Kosovë pa ndërprerje të shërbimeve”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu theksoi se Londra mirëpret angazhimin e kryeministrit Kurti për zbatimin e ligjit dhe për koordinimin e hapave të ardhshëm me Bashkimin Evropian dhe komunitetin serb në Kosovë.