Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se kryeministrit Albin Kurti i është larguar aura e personit që nuk lëshon pe.
“Duke lëshuar pe për këtë 12 muajsh që të regjistrohen të huajt në këtë sistemin online që ka bërë. Albin Kurti ka lëshuar pe edhe për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë. Nuk mundesh me integru arsimin dhe shëndetësinë duke i pasur këto problemet me dokumentet”, ka thënë ai.
Mushkolaj, tutje në Debat Plus në RTV Dukagjini, ka thënë se për së paku një vit është shtyrë çfarëdo integrimi i arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës.
Ai ka theksuar se edhe në të kaluarën janë pranuar dokumentet që janë lëshuar nga strukturat paralele ilegale serbe në Kosovë dhe se kjo nuk është diçka e re për Kurtin.
Megjithatë, sipas Mushkolajt, Kurti ka lëshuar pe dhe ka bërë shumë mirë që e ka dhënë mundësinë prej 12 muajsh për regjistrim.
“Është hequr ajo aura që z. Kurti është person që nuk lëshon pe… të gjitha këto veprime që janë bërë në veri kanë përfunduar ato procese, natyrisht pas disa shtyrjeve, pas disa përplasjeve, pas marrjes së sanksioneve, pas marrjes së masave të BE-së… pra hala nuk janë hequr krejt sanksionet që i kemi marrë për veprimet që i kemi bërë jo në koordinim me BE-në në këtë rast”, ka thënë ai.