Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vrasjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri, rast ky që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në një kafiteri në Gjakovë.
Sipas policisë, rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, i dyshuari, pronar i lokalit, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave.
Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri ka mbetur i plagosur.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja dhe një mjet i mprehtë (thikë). Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
I dyshuari fillimisht ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por më vonë gjatë ditës është vetëdorëzuar në polici, duke dorëzuar edhe një revole.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
“Rr. Vëllezërit Frashëri, Gjakovë 16.03.2026-05:20. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, pronar i një lokali kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, njëri nga viktimat nga plagët e marra kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja dhe një mjet i mprehtë (thikë). Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion. I dyshuari është vet dorëzuar dhe ka dorëzuar një revole. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.