Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të martë projekt-rezolutën për shpalljen e Iranit si shtet sponsor të terrorizmit, me 79 vota pro.
Nuk pati asnjë votë kundër, ndërsa një abstenim erdhi nga deputeti Redi Muçi. Opozita nuk mori pjesë në seancë, pas vendimit për bojkot.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në seancë theksoi se terrorizmi nuk është vetëm akt dhune, por edhe një kërcënim për rendin demokratik.
Ai ka theksuar se Shqipëria qëndron e vendosur në mbrojtje të ligjit dhe rendit demokratik dhe kujtoi sulmin kibernetik ndaj Kuvendit, duke e cilësuar akt armiqësor.
Balla kërkoi gjithashtu që deputetët të votojnë për shpalljen e Gardës Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste.
Seanca plenare, e cila zgjati vetëm 22 minuta, përfundoi menjëherë pas votimit.