Ish-diplomati Sylë Ukshini ka komentuar vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës, duke e cilësuar mënyrën e heqjes së masave nga BE-ja si “më të turpshmen”.
Ukshini, i ftuar në “FIVE” u shpreh se Bashkimi Evropian është duke u tallur me Kosovën pasi sipas tij kjo formë e veprimit të BE-së tregon një qasje të padrejtë mbi institucionet e Kosovës duke e lidhur këtë me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të huajt.
“Masat u hoqën por meqë unë kam studiuar me vite të tëra politikën e BE-së karshi Ballkanit përkatësisht Kosovës – mendoj se kjo formë se si Bashkimi Evropian po i heq masat po e them pa diplomaci është forma më e turpshme, mesazhi është që BE-ja mund të na i heq masat ndëshkuese nëse legalizojmë dokumente të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Por, unë kam një çështje tjetër se a do të ishte më mirë të kishte masa ndaj serbisë që lëshon masa për territorin e Kosovës. A është kjo forma që mund të normalizohen raportet kur BE-ja vjen e thotë të legalizohen dokumentet ilegale të Serbisë – Kurti e pranoi këtë por të jeni të sigurt se serbët do ta problematizojnë këtë pasi është e afatizuar dhe kjo mbase është pjesa e mirë”, tha Ukshini.
Ukshini, mes tjerash, foli edhe për qëndrimin e BE-së që sipas tij është shpesh i njëanshëm teksa e kritikoi edhe për mosreagimin ndaj padrejtësive të ngjashme në rajon.
“Por, serbët çdo herë do bëjnë dicka pasi në doktrinën e tyre është viktimizimi i pakufishëm në kohën kur ndodh spastrimi etnik në Luginën e Preshevës – Bashkimi Evropian nuk ka as sy e as vesh e nuk ka as kur shqiptarëve në Maqedoni u mohohet mësimi në shqip. Evropianët e kanë gojën sundim të ligjit e rregulla e çështje juridike por kur vjen në pyetje Kosova çdo herë kërkojnë që serbët të mos paguajnë rrymë e ujë dhe është bërë bajate kjo strategji e BE-së tashmë”, u shpreh Ukshini.