Klinika e Pediatrisë ka bërë të ditur se 5-vjeçari, i hospitalizuar aktualisht në Kujdesin Intensiv Pediatrik, sot i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së, ndërhyrja ka përfunduar me sukses dhe gjatë procedurës gjendja e pacientit ka qenë stabile, njofton Dukagjini.
“Intervenimi sapo ka përfunduar dhe është realizuar sipas indikacioneve mjekësore. Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile. Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore”, thuhet në njoftim.
Klinika ka bërë të ditur se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, informacioni i dhënë është i kufizuar dhe çdo përditësim i mëtejshëm do të bëhet vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK.
Kujtojmë se mbrëmjen e së hënës, një 5 vjeçar është dërguar në gjendje te rëndë shëndetësore, në qendrën e mjekësisë familjare në Lipjan.
Aty nuk u dërgua nga prindërit, por nga një familjar tjetër. Kjo për shkak se pikërisht prindërit janë te dyshuarit që e sollën fëmijën në atë gjendje.
Po ashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, sot ka vendosur t’u caktojë masën e paraburgimit prej një muaji prindërve për keqtrajtimin e fëmijës së tyre.
Sipas njoftimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, A.K. dhe V.P. dyshohet të kenë kryer veprat “Shkelje e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
Rasti i 5-vjeçarit në Lipjan, nga një muaj paraburgim për prindërit e tij