Komisioni Evropian ditë më parë ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës. Një konfirmim i tillë u bë të martën gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian.
Përfaqësues i Komisionit Evropian, Jiri Plecity gjatë debatit në PE theksoi se KE ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, ishte shprehur Plecity.
E në një deklaratë për Telegrafin, një zëdhënës i KE-së ka dhënë detaje.
“Në dhjetor 2025, Presidentja von der Leyen njoftoi synimin për të hequr të gjitha masat e mbetura. Pas përfundimit të procedurave të brendshme, konfirmojmë se Komisioni tani mund të vazhdojë me lirimin e 205 milionë eurove të mbetura të asistencës financiare”, tha për Telegrafin.
Tutje, bëhet e ditur se lirimi përfundimtar i radhës i fondeve do të përfshijë: 74 milionë euro për projekte në kuadër të programeve vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Ky zyrtar i tha Telegrafit se Komisioni dhe EEAS do të forcojnë angazhimin e tyre me autoritetet e Kosovës.
“Kosova tani pritet gjithashtu të intensifikojë zbatimin e reformave të nevojshme që lidhen me BE-në dhe të avancojë në përmbushjen e obligimeve të marra në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. BE-ja do të vazhdojë ta ndjekë dhe vlerësojë situatën nga afër”, thuhet tutje.