Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin për stërvitjet e ushtrisë serbe me helikopterë dhe parashutistë pranë kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si “shfaqje të rrezikshme të agresionit”.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se këto aktivitete ushtarake janë zhvilluar në zonën e Bujanocit, pranë territorit të Kosovës, dhe përbëjnë presion dhe përpjekje për të frikësuar popullsinë shqiptare atje.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një demonstrim të pajustifikueshëm force mbi zona të banuara, përfshirë shtëpi, shkolla dhe qendra mjekësore, duke e cilësuar këtë si provokim të hapur ndaj shtetit të Kosovës.
“Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur, të Republikës së Kosovës. Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 të Parashutistëve të Serbisë përmes stërvitjeve me helikopter H-145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, situata bëhet edhe më alarmuese pasi në këto stërvitje është përfshirë brigada e 63-të e parashutistëve të Serbisë – njësi që, sipas Kurtit, ka trajnuar grupin e Milan Radoiçiqit, përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Kurti e lidhi këtë zhvillim edhe me retorikën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka përmendur mundësinë e një konflikti me një aleancë të supozuar Kroaci–Shqipëri–Kosovë.
Ai shtoi se blerjet e armatimit nga Rusia dhe Kina tregojnë për një qasje destabilizuese të Serbisë.
Duke e vendosur situatën në kontekst global, Kurti tha se këto veprime po ndodhin në një kohë të brishtë sigurie ndërkombëtare, për shkak të luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, Serbia po vepron nga dëshpërimi, pasi – siç u shpreh – nuk ka më struktura ilegale brenda Kosovës për të ndikuar në destabilizim, dhe tashmë po përqendrohet në lëvizje pranë kufirit.
Kurti u bëri thirrje shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që të mos bien pre e politikave destabilizuese, ndërsa kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojë dhe të ndëshkojë qasjen e Serbisë.