Osmani uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Kjo festë të na bashkojë dhe të rrisë solidaritetin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është takuar me Myftiun Naim Tërnava për t’ia uruar festën e Fitër Bajramit.

Në deklarimin e saj, Osmani uroi të gjithë qytetarët për këtë festë, duke shprehur shpresën që agjërimi dhe lutjet e besimtarëve të jenë pranuar dhe që kjo ditë të shërbejë si moment bashkimi dhe solidariteti.

“Ju uroj të gjithë qytetarëve të Republikës sonë me fat festën e Fitër Bajramit, duke uruar më të mirat për ta dhe duke shpresuar që Zoti i madhërishëm t’i ketë pranuar lutjet dhe agjërimin e gjithsecilit. Kjo ditë, si gjithmonë përgjatë historisë sonë, le të na bëjë të gjithëve bashkë, të na hapë zemrat dhe dyert e secilit, duke rritur solidaritetin dhe vlerat njerëzore që na kanë mbajtur të bashkuar edhe në kohët më të vështira”, tha Osmani.

Ajo theksoi se pikërisht këto vlera kanë ndihmuar qytetarët e Kosovës të përballojnë sfida të mëdha historike, duke e bërë bashkimin dhe ndihmën e ndërsjellë element kyç të qëndrueshmërisë së shoqërisë.

Presidentja gjithashtu shprehu mirënjohje për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Myftiun Tërnava për punën e tyre gjatë gjithë vitit, veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit, në mbështetje të familjeve në nevojë.

“Dua ta falënderoj Myftiun dhe bashkëpunëtorët e tij për punën e jashtëzakonshme që bëjnë për të ndihmuar familjet në nevojë, për t’u siguruar që çdo familje të ndiejë mbështetje dhe solidaritet, sidomos në kohë të vështira”, u shpreh ajo.

Osmani falënderoi gjithashtu aleatët ndërkombëtarë dhe qytetarët, përfshirë mërgatën, për kontributin e tyre të vazhdueshëm në ndihmë të familjeve në Kosovë.

Në fund, ajo vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Bashkësinë Islame të Kosovës, duke theksuar se ky bashkëpunim ka qenë dhe mbetet në interes të shtetit dhe fuqizimit të Republikës së Kosovës.

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika