Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për tërheqje nga mbështetja financiare e projektit të Autostradës së Dukagjinit, duke e cilësuar këtë si një vendim të gabuar me pasoja për zhvillimin ekonomik të vendit.
Haradinaj ka deklaruar se gjatë mandatit të tij qeverisës, projektimi i kësaj autostrade ishte një hap konkret drejt realizimit të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore.
Sipas tij, ndërprerja e financimit nuk është vetëm çështje buxheti, por reflektim i mungesës së prioriteteve nga ana e ekzekutivit aktual.
Ai ka paralajmëruar se një vendim i tillë do të sjellë vonesa në realizim, humbje kohe dhe mundësish për qytetarët e rajonit të Dukagjinit.
Sipas Haradinajt, Autostrada e Dukagjinit do të lidhte qytete të rëndësishme si Istogu, Peja, Deçani, Gjakova, Rahoveci, Suhareka dhe Prizreni, duke krijuar një korridor të fuqishëm ekonomik që do të ndikonte në uljen e kostove për bizneset, rritjen e investimeve dhe zhvillimin e turizmit.
Në fund, ai ka kritikuar Qeverinë duke theksuar se, ndonëse deklarohet për zhvillim ekonomik, në praktikë po ndalon projekte që e mundësojnë atë, ndërsa ka ngritur pikëpyetje për arsyet e largimit të këtij projekti nga financimi.