Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Klinë, ku një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Sipas zëdhënësit të Policisë në Pejë, Fadil Gashi, rreth orës 15:10 policia është njoftuar për një incident që pasoi pas një fjalosjeje mes dy vëllezërve, ku njëri prej tyre e qëlloi tjetrin me armë.
Viktima fillimisht është dërguar në emergjencën e Klinës, e më pas është transferuar në Spitalin e Pejës. Megjithatë, pak para se të nisej drejt QKUK-së për trajtim të mëtejshëm, ai fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të policisë dhe Prokurorisë, të cilat po zhvillojnë hetimet lidhur me rastin. Po ashtu, janë sekuestruar edhe tre gëzhoja që dyshohet se janë përdorur gjatë incidentit.