Mes tensioneve u zhvillua protesta Partisë Demokratike këtë të diel në Tiranë. Protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarre ndaj Kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.
Protesta udhëhiqej nga kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe deputetët e partisë, por nuk pati podiume apo fjalime, duke u fokusuar në marshimin e qytetarëve sipas qarqeve që përfaqësojnë në Kuvend.
Në kuadër të mbarëvajtjes së tubimit, autoritetet kanë angazhuar mbi 1400 efektivë policie, të cilët do të jenë të shpërndarë në disa pika kyçe të kryeqytetit.
Përveç zonës përpara Kryeministrisë, prani e shtuar policore do të ketë edhe pranë Parlamentit dhe institucioneve të tjera të rëndësishme, si dhe në zona të ndryshme të Tiranës.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar për kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa nga rrugët kryesore. Konkretisht, nga ora 09:30 deri në përfundim të protestës do të bllokohet bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”. Po ashtu, nga ora 15:00 e pasdites do të bllokohen edhe rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Opozita ka zgjedhur datën 22 mars për këtë protestë për shkak të simbolikës historike, pasi kjo ditë përkon me fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1992, pas rënies së regjimit komunist në vend.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet në zonat e bllokuara dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo ndryshim në qarkullim./Euronewsal