Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevës.
Sipas njoftimit, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, jetën e kanë humbur dy persona me inicialet I.B. dhe M.G., ndërsa e dyshuara për rastin ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Prokuroria bën të ditur se menjëherë pas pranimit të informatave, Policia e Kosovës dhe ekipet hetimore, së bashku me prokurorin e shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, kanë dalë në vendin e ngjarjes për ndërmarrjen e veprimeve të para hetimore.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, është sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja dhe prova të tjera materiale që lidhen me rastin.
“Menjëherë pas pranimit të informatave, Policia e Kosovës dhe ekipet e tjera hetimore, së bashku me Prokurorin e shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, kanë dalë në vendin e ngjarjes për ndërmarrjen e veprimeve të para hetimore. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, është sekuestruar një armë zjarri, dhe disa gëzhoja, si dhe disa prova të tjera materiale relevante për rastin”, thuhet nga Prokuroria.
Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.
Sipas hetimeve preliminare, motivi i ngjarjes ende nuk është i njohur, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rastit.
“Aktualisht, sipas hetimeve preliminare, motivi i këtij rasti ende nuk është i njohur”, thuhet nga Prokuroria.