Katër persona janë arrestuar sot në Prishtinë, të dyshuar për disa vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe falsifikimin e dokumenteve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Sipas njoftimit, njëri nga të arrestuarit, me inicialet I.M., nga një auto-shkollë, dyshohet për veprën penale “marrja e ryshfetit”.
Ndërkaq, dy persona të tjerë, A.B. dhe Z.B., po ashtu nga një auto-shkollë tjetër, dyshohen për “falsifikim të dokumentit zyrtar”.
Ndërsa personi i katërt, V.L., ekzaminere për patentë shoferi në Ministrinë e Infrastrukturës, dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin publik se, sot me datë 23.03.2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, katër persona të dyshuar, njëri me inicialet I.M nga auto shkolla “A…….” për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 të KPRK-së, dy persona me inicialet A.B dhe Z.B nga auto shkolla “I………….” për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 të KPRK-së dhe një person me emrin V.L ekzaminere për patentë shofer në MMPHI për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së”.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht sektorin për hetimin e korrupsionit.
Gjatë aksionit, tek i dyshuari I.M. janë sekuestruar 800 euro, të cilat dyshohet se janë marrë si ryshfet. Po ashtu, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë kontrolluar dy auto-shkolla, ku janë siguruar prova materiale.
Autoritetet kanë sekuestruar edhe telefonat mobil të dy të dyshuarve, I.M. dhe V.L.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë në gjykatë për caktimin e masave ndaj të dyshuarve.