Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot ditën kur NATO-ja nisi bombardimet ndaj caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë, duke theksuar rëndësinë e aleancave ndërkombëtare që mbrojnë lirinë.
“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi. Kosova nuk harron. Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë edhe fjalimin e presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, që urdhëroi fillimin e fushatës bombarduese.
Po të martën, Osmani ka bërë homazhe te Pllaka Memoriale e ushtarëve të KFOR-it që kanë rënë gjatë shërbimit në Kosovë.