Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid Al-Ansari, ka deklaruar se Katari nuk është i përfshirë në asnjë përpjekje për bisedime mes SHBA-së dhe Iranit për përfundimin e luftës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me negociatat me Teheranin, Al-Ansari tha se përgjigjet duhet të kërkohen nga palët e përfshira.
“Ne nuk jemi pjesë e këtyre bisedimeve. Fokusi ynë aktual është mbrojtja e vendit tonë,” u shpreh ai.
Ai theksoi se Katari mbetet në një situatë të tensionuar sigurie, duke e përshkruar vendin si “në qendër të stuhisë”, edhe pse nuk ka pasur sulme me raketa apo dronë nga Irani që nga e enjtja e kaluar.
Sipas tij, mbi 200 sulme me dronë janë regjistruar, por më shumë se 90% e tyre janë interceptuar nga mbrojtja ajrore.
Al-Ansari shtoi se Katari kundërshton çdo sulm ndaj infrastrukturës civile dhe se qëndrimi i vendit është mbrojtës. Ai theksoi se autoritetet ruajnë të drejtën për t’u kundërpërgjigjur, por ende nuk është marrë një vendim për këtë.
Ndërkohë, ai pranoi se, pavarësisht tensioneve, marrëdhëniet me Iranin nuk mund të shmangen plotësisht për shkak të realitetit gjeografik.