Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, ka kritikuar Qeverinë, duke e akuzuar për tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe përpjekje të vazhdueshme për të zgjeruar pushtetin përmes ligjeve që, sipas tij, bien ndesh me Kushtetutën.
Në Five në TV Dukagjini, Jashari ka thënë se gjatë pesë viteve të fundit, Gjykata Kushtetuese është angazhuar “pa nevojë” rreth 20 herë për shkak të vendimeve të Qeverisë, të cilat, sipas tij, kanë qenë të qarta në aspektin ligjor dhe kushtetues.
“Në rend të parë Gjykata Kushtetuese është angazhuar pa nevojë rreth 20 herë gjatë këtij 5vjecari, të kësaj qeverie të papërgjegjshme. Sepse kanë qenë të qarta dispozitat ligjore dhe kushtetuta ka qenë mjaftueshëm e qartë, për ata që dojnë më interpretu kur kërkojnë zgjidhje…
E njëjta situatë është tash. Jemi duke e pritë Gjykatën Kushtetuese me i dhënë zgjidhje një problemi…”, ka thënë Jashari.
Sipas tij, problemi kryesor qëndron te fakti se një numër i madh ligjesh të miratuara nga Qeveria janë shpallur antikushtetuese, duke treguar, siç u shpreh ai, një tendencë për të marrë kompetenca që nuk i takojnë ekzekutivit.
Ai shtoi se, pavarësisht retorikës së mëhershme të Lëvizjes Vetëvendosje kundër “kapjes së shtetit”, veprimet e saj në qeverisje, sipas tij, tregojnë një prirje të kundërt.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Jashari u ndal edhe te kërkesa për interpretim në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Ai e cilësoi këtë çështje si “kristal të qartë”, duke thënë se kryeministri Albin Kurti synon të shtrijë ndikimin edhe në këtë institucion.
“Problemi që është te kjo qeveri, gjitha ligjet që janë shpall antikushtetuese. Kanë qenë ato ligje që tregojnë që kjo qeveri të marrë pushtet që nuk i takon. E krejt në fund del që kjo qeveri nuk kënaqet me mandatin ligjore që e ka. Edhe ligjet që janë ndërtuar në kundërshtim më frymën kushtuese, kanë pas për qëllim ta zaptojnë pushtetin. Me atë parullën e famshme që kanë ardhur ‘kundër kapjes pushtetit’, krejt këto ligje që janë refuzuar prej GJK, kjo qeveri ka kërkuar që të marrë pushtet më shumë përmes atyre ligjeve se sa që i takon.
Prandaj edhe GJK është sulmuar e akuzuar si asnjëherë më parë, se nuk e ka lënë këtë qeveri me marrë pushtetin që i takon. Të njëjtën frymë e kemi edhe tash. Kërkesa për interpretim që është në GJK për zgjedhjen e presidentit është kristal e qartë, që zoti Kurti po dëshiron ta kap edhe pozitën e presidentit”, ka shtuar Jashari.