Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në javët e fundit është përballur me një fushatë të qëllimshme baltosëse, e cila sipas saj nuk ka të bëjë me kritikë apo llogaridhënie, por me cenimin e dinjitetit njerëzor dhe dëmtimin e demokracisë në vend.
Këto komente ajo i bëri gjatë konferencës hapëse të Javës së Gruas (WoW) 2026, ku theksoi se sulmet ndaj saj përfaqësojnë një model të rrezikshëm që synon jo vetëm individin, por edhe vetë vlerat demokratike.
“Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk e ka kritikën. Dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër. Shumë më e ftohtë, e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor. Për ta kthyer në objekt. Për ta krahasuar me kafshët më të egra. Për ta zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara. Gënjeshtra që përsëriten aq shumë derisa dikujt mund t’i duken të vërteta. Imazhe që krijohen për të lënduar dhe për të shkatërruar vlerat më të larta njerëzore që e kanë mbajtur popullin tonë bashkë në kohët më të rënda. Fjalë që nuk synojnë debat, por shkatërrim dhe eliminim”, ka thënë Osmani.
Ajo nënvizoi se kjo qasje nuk duhet parë si çështje personale, por si një sfidë për demokracinë, duke paralajmëruar se kur propaganda dhe dezinformimi marrin përparësi ndaj së vërtetës, atëherë rrezikohet vetë themeli i sistemit demokratik.
“Dhe për këtë arsye duhet të flasim. Jo si viktima. Asnjëherë. Asnjëherë si viktima. Asnjëherë. Por si mbrojtëse të demokracisë. Vetëm si mbrojtëse të demokracisë. Sepse kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës, kur e vërteta më s’ka aspak rëndësi, kur dinjiteti gjithnjë shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është në rrezik”, tha ajo.
Osmani gjithashtu kërkoi më shumë përgjegjësi institucionale ndaj atyre që, sipas saj, përdorin teknologjinë për përhapjen e propagandës dhe dezinformimit. Ajo vuri në dukje se lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë është një domosdoshmëri dhe jo një luks për shoqërinë.
“Prandaj lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë nuk është luks. Është domosdoshmëri. Dhe kërkon institucione që nuk heshtin. Kërkon që të mbajmë përgjegjës ata që përdorin teknologjinë dhe e shndërrojnë në propagandë, që shfrytëzojnë dezinformimin dhe që besojnë që narrativa e tyre mund të ruhet vetëm e vetëm nëpërmjet frikësimit. E një shoqëri që mësohet me një narrativë të tillë, e humb në tërësi, në tërësi e humb busullën morale. Mirëpo kjo nuk është luftë vetëm ndaj një personi. Është një mesazh i drejtpërdrejtë për secilën grua. Për secilën vajzë që mendon të hyjë në jetën publike. Është mesazhi që thotë se për gratë në politikë, ky është çmimi që do ta paguash. Apo edhe ndoshta më i lartë”, tha ajo.
Ajo paralajmëroi se demokracia nuk rrëzohet vetëm nga krizat e mëdha, por dobësohet gradualisht kur e vërteta relativizohet dhe shpifja bëhet mjet i zakonshëm në diskursin publik.
“Dhe pikërisht për këtë arsye kjo nuk është më çështje personale. Është çështje e demokracisë. Sepse demokracia nuk rrëzohet vetëm nga krizat e mëdha. Ajo dobësohet ngadalë, kur e vërteta relativizohet, kur e vërteta goditet dhe bëhet tërësisht e parëndësishme. Kur shpifja bëhet mjeti kryesor, kur dinjiteti njerëzor trajtohet si pengesë e jo si vlerë”, tha ajo.