Misioni faktmbledhës i platformës së Këshilli i Evropës për sigurinë e gazetarëve ka shprehur shqetësim për gjendjen e gazetarëve në Kosovë, duke theksuar se situata është përkeqësuar në vitet e fundit.
Pas një vizite dyditore në vend, përfaqësuesit e misionit deklaruan se, ndonëse më herët kishin pasur pritshmëri për përmirësim, zhvillimet e fundit tregojnë një rënie të lirisë së mediave.
Kryetarja e Shoqata e Gazetarëve Evropianë, Maria Cheresheva, bëri të ditur se gjatë takimeve me gazetarë, institucione dhe përfaqësues politikë, është evidentuar një përkeqësim i klimës mediatike që nga viti 2023.
Ajo theksoi se delegacioni ka zhvilluar takime me dhjetëra gazetarë, përfshirë edhe gazetarë nga komuniteti serb, si dhe me drejtues mediash dhe institucione kyçe, përfshirë kryeministrin dhe ekipin e tij, Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Federata Evropiane e Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, u shpreh se misioni është më i shqetësuar se katër vite më parë. Ai ngriti alarmin për klimën armiqësore ndaj gazetarëve, duke përmendur etiketimet si “argatë të Serbisë” dhe “tradhtarë”. Sipas tij, shqetësuese mbetet edhe mungesa e reagimit nga kryeministri për të dënuar këto sulme, çka ai e cilësoi si mungesë të vullnetit politik për përmirësim të situatës.
Ndërkohë, Jamie Wiseman nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit theksoi se, ndonëse në periudhën pasluftës ka pasur përparim të dukshëm, tre vitet e fundit kanë sjellë përkeqësim të klimës për gazetarët.
Ai vuri në pah rritjen e rasteve të stigmatizimit dhe denigrimit, duke shtuar se viti 2025 ka shënuar kulmin e këtyre fenomeneve. Megjithatë, ai vlerësoi si zhvillim pozitiv faktin që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial po u japin përparësi rasteve që lidhen me gazetarët raporton Kosova Press përcjell Dukagjini.
Këshilltarja ligjore Flutura Kusari theksoi se rënia e lirisë së mediave lidhet me disa faktorë kyç, përfshirë ligjin për Komisioni i Pavarur për Media, presionin politik ndaj transmetuesit publik dhe sfidat financiare të mediave. Ajo shtoi se pritet që projektligji për KPM të hartohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, ndërsa ngriti shqetësimin se ligji për mbrojtjen e gazetarëve ende nuk është përfshirë në agjendën legjislative.
Në tërësi, misioni vlerëson se, pavarësisht disa elementeve pozitive në sistemin gjyqësor, klima për gazetarët në Kosovë është përkeqësuar dhe kërkon angazhim më të madh institucional për përmirësim.