Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), ka paralajmëruar për erëra të forta në vend.
Sipas njoftimit, pritet që shpejtësia e erës të arrijë mbi 24 m/s në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, duke krijuar kushte potencialisht të rrezikshme.
IHK bën të ditur se erërat mund të shkaktojnë dëmtime të pronave, probleme në transport, dëmtime në pyje dhe parqe, si dhe rrezik në punimet ndërtimore, veçanërisht ato me vinça.
Gjithashtu, mund të ketë ndikim indirekt në sigurinë e njerëzve dhe kafshëve.
Rrezik paraqesin edhe objektet e ekspozuara si shtyllat elektrike, reklamat dhe çatitë.
Nga IHK theksohet se bëhet fjalë për një nivel të ulët rreziku – “kujdes”, ku fenomenet nuk janë të rralla, por mund të bëhen të rrezikshme në aktivitete të caktuara.
Qytetarëve u rekomandohet të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin përditësimet e motit dhe të shmangin rreziqet e panevojshme.
