Oborri i selisë së Partisë Demokratike në orën 13:30 të së enjtes, nuk e kishte thuajse asnjë vend të lirë për vetura.
Të gjitha ishin zënë nga anëtarët e kryesisë së partisë, të cilët të parët u mblodhën, me qëllim që nga ora 14:00 ta diskutojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Pak para se t’i bashkohej tavolinës së diskutimit, kryetari Bedri Hamza, tha se ky bashkëbisedim do t’u shërbejë që të nxjerrin qëndrimin përfundimtar.
“Ditëve në vijim presim me pas edhe mbledhje të Këshillit Drejtues, do t’i diskutojmë qëndrimet tona, pozicionin tonë dhe sigurisht se mbi bazën e vendimeve të organeve të Partisë Demokratike të Kosovës ne do të dalim zyrtarisht me qëndrimin tonë”, ka thënë Haamza.
Hamza foli edhe për një takim eventual me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Jo, nuk ka ftesë”, ka shtuar Hamza.
Siç mëson Dukagjini, takime nuk pritet të ketë se paku as nesër, për shkak se kryeministri Albin Kurti nuk gjendet në Kosovë.
Ai nuk ishte sot i pranishëm, siç ishte çdo vit tjetër, as në përvjetorin e masakrës se Krushës.
Megjithatë, një qëndrim i pa detajuar u dha nga deputetja Arbërie Nagavci, e cila si pak nga kolegët e saj, të enjten u duk kah Kuvendi.
“Mbetet në përgjegjësi të PDK-së e LDK-së të tregojnë se çfarë synojnë dhe çfarë janë të gatshëm të bëjnë që të zgjedhim presidentin”, ka thënë Nagavci.
Ndërkohë, pas më shumë se dy orësh, mbledhja e kryesisë së PDK-së, përfundoi, por pa ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me situatën.
“Vendimi ynë sot është që do të thërrasim mbledhjen e Këshillit Drejtues brenda pak ditësh, ku do të diskutojmë për aktualitetin e rëndë politik në Kosovë dhe ku do të marrim vendimet e ardhshme politike që na presin”, ka thënë sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.
Sidoqoftë, të premten pritet që Kuvendi t’i kthehet normalitetit, pas aktgjykimit të Kushtetueses. Në orën 14:00, është planifikuar, mbledhja e Komisionit për Buxhet.
Ndërsa të hënën do të mblidhet kryesia e legjislativit për të thirrur seancë të re për çështje që kanë mbetur pezull, përfshirë marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.