Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke thënë se presidentja Vjosa Osmani ka tejkaluar kompetencat kushtetuese.
Në Debat Plus, Abrashi u pyet nëse presidentja ka shkelur Kushtetutën, ndërsa ai u përgjigj: “Me të dy këmbët”.
“Në e kemi thënë prej filmit dhe i kemi paraqitur argumentet nga ana jonë se presidentja në largim i ka tejkaluar autorizimet që ia jep Kushtetuta. Objekt i atakuar për interpretim në gjykatë kushtetuese, ka qenë pikërisht dekreti. Thelbi i kërkesës sonë ka qenë dekreti. Dekret të cilin GJK e shpalli shprehimisht pa efektet juridike… pra çfarë situate kemi? E kemi një situatë që ajo ka marrë një vendim që nuk i takon, ka tejkaluar kompetencat që i jep Kushtetuta, ka bërë shkelje të rendit parlamentar të përcaktuar me Kushtetutë. Ku presidenti i mbivendoset dhe e shpërnda një institucion që nuk i takon me shpërnda, përpos në situatën që është e përcaktuar me Kushtetutë.
Dhe rrjedhimit presidentja e ka shkelur Kushtetutën. Këtë po e them me keqardhje, për shkak se dorën në zemër jo vetëm unë, po kam pasur një bindje shumë të mirë, edhe si juriste, të cilën edhe nga ana ime por edhe shumë të tjerë në VV është konsideruar e kalibrit ndër më të mirë në Kosovë. Por që bën gafe të tilla ka qenë befasuese, ka thënë Abrashi.