Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se Irani i ka kërkuar një pauzë prej shtatë ditësh për mosgoditjen e objekteve energjetike, por se ai ka vendosur t’ua zgjasë në dhjetë ditë.
Sipas tij, Teherani ka qenë “shumë mirënjohës”.
Trump deklaroi në një intervistë për Fox News se SHBA dhe Irani janë në bisedime që po shkojnë “relativisht mirë”, duke shtuar se kërkesa ka ardhur përmes ndërmjetësve.
“Na thanë shumë me mirësjellje: ‘A mund të kemi më shumë kohë?’ Ata kërkuan shtatë ditë dhe unë u dhashë dhjetë,” tha ai.
Më herët, Trump kishte njoftuar se pauza në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane do të zgjatej nga pesë ditë në dy javë, me afat deri më 6 prill.
Ai gjithashtu pretendoi se Irani ka lejuar kalimin e tankerëve të naftës në Ngushticën e Hormuzit si “dhuratë” gjatë bisedimeve, gjë që Teherani e ka mohuar, duke thënë se nuk ka negociata për përfundimin e luftës.