Katër persona janë arrestuar në një operacion të Policisë së Kosovës në vijën kufitare me Serbinë, në fshatin Hajkobillë të Prishtinës, nën dyshimet për kontrabandë me mallra, kalim të paautorizuar të kufirit dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar më 26 mars si plan taktik për parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme në zonën kufitare.
Njësitë patrulluese të Drejtorisë Rajonale për Mbikëqyrjen e Kufirit – Lindja, pas disa orësh vëzhgimi, rreth orës 18:00 kanë vërejtur lëvizjen e tre traktorëve që kanë kaluar nga territori i Serbisë në territorin e Kosovës.
Mjeti janë ndaluar nga zyrtarët policorë, ndërsa në afërsi të vijës kufitare është gjetur një sasi e konsiderueshme drush të dyshuara si të kontrabanduara.
Me urdhër të prokurorit të shtetit është kryer edhe bastisja e një shtëpie në afërsi të kufirit, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga grupi i përfshirë në kontrabandë.
Lidhur me rastin janë sekuestruar provat materiale si në vijim: – 3 traktorë me tërheqje; – 3 pushkë gjuetie – 1 pushkë ajrore; – 83 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Me autorizim të prokurorit kompetent katër personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë.