Tabelat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, me autor Shkëlzen Gashi, janë larguar nga sheshi i Prishtinës pas reagimeve të shumta lidhur me përmbajtje të pasaktë.
Largimi u realizua një ditë pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vendosi pezullimin e lejes për ekspozim, duke u bazuar në pasaktësitë e evidentuara në materialet e prezantuara.
Rama publikoi pamje nga aksioni i ekipeve komunale, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një ekspozite që, sipas tij, cenon dinjitetin e qytetarëve dhe kujtesën kolektive.
Për përmbajtjen e ekspozitës ka reaguar edhe ministri Andin Hoti, i cili e ka cilësuar të papranueshme paraqitjen e pasaktë të krimeve të luftës. Ai theksoi se në disa raste faktet janë shtrembëruar, duke rrezikuar relativizimin e krimeve dhe përhapjen e narrativave të rreme.
Hoti veçoi rastin e Masakrës së Krushës së Madhe, duke theksuar se është paraqitur gabimisht sikur gratë dhe fëmijët janë lejuar të largohen, ndërkohë që edhe gra, përfshirë shtatzëna, janë vrarë në këtë masakër.
Nga ana tjetër, autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, ka mbrojtur përmbajtjen duke deklaruar se të dhënat janë bazuar në listën e përpiluar nga Humanitarian Law Center, e udhëhequr nga Natasha Kandić. Sipas tij, kjo mbetet lista më gjithëpërfshirëse aktuale, në mungesë të një regjistri zyrtar të plotë për viktimat e luftës në Kosovë.
Gashi theksoi se mospërputhjet në disa raste, si në Burgun e Dubravës, ku disa viktima paraqiten si të armatosura, janë pjesë e të dhënave të kësaj liste dhe jo interpretim i organizatorëve të ekspozitës. Ai shtoi se situata të ngjashme evidentohen edhe në rastet e Mejës dhe Reçakut.
Debati rreth kësaj ekspozite ka nxitur diskutime të gjera mbi mënyrën e trajtimit të krimeve të luftës dhe rëndësinë e saktësisë historike në hapësirat publike.