Irani ka deklaruar se ka shënjestruar një depo të sistemit ukrainas kundër dronëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke pretenduar se ajo përdorej për të mbështetur forcat amerikane, raportoi Agence France-Presse përcjell Dukagjini.
Sipas një deklarate të Komandës Qendrore Operacionale “Khatam al-Anbiya” të ushtrisë iraniane, objektivi në Dubai është goditur në kuadër të operacioneve që, sipas tyre, kishin në shënjestër edhe praninë ushtarake amerikane në zonë.
Ky pretendim vjen menjëherë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi për një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime. Zëdhënësi Georgiy Tykhyi i cilësoi deklaratat si të rreme dhe pjesë e një fushate dezinformimi nga ana e Iranit.
“Kjo është një deklaratë e pavërtetë. Ne e mohojmë zyrtarisht këtë informacion”, tha ai, duke shtuar se regjimi iranian shpesh përdor narrativa të tilla për qëllime propagandistike.