Gazetari dhe shkrimtari italian Esio Gavezzeni ka bërë deklarata të forta lidhur me ngjarje të rënda gjatë luftës në Sarajevë, duke pretenduar se qindra shtetas perëndimorë kanë paguar shuma të mëdha parash për të qëlluar mbi civilët.
Sipas tij, gjatë viteve 1992–1996, rreth 500 persona nga vendet perëndimore morën pjesë në atë që ai e përshkruan si “gjueti njerëzore”.
“Ishte një numër i madh perëndimorësh, rreth 500, të cilët paguan shuma shumë të mëdha për të qëlluar mbi civilët në Sarajevë. Këto shuma janë të krahasueshme me çmimin e një apartamenti sot, pra rreth 200 mijë euro për një fundjavë”, ka deklaruar Gavezzeni.
Ai përshkroi edhe një sistem të supozuar shpërblimi për pjesëmarrësit, duke pretenduar se ata merrnin si “trofe” fishekë të gdhendur, në varësi të viktimave të qëlluara.
Sipas Gavezzenit, kjo veprimtari ishte e organizuar dhe kishte bazë në qytete si Londra dhe Brukseli, ndërsa përfshinte edhe lidhje me një kompani sigurie në Itali, e cila, sipas tij, i përgjigjej kërkesës së klientëve, shkruan The Geopost.
“Kishte një kërkesë dhe ata krijuan ofertën – dhe kjo kërkesë ishte mundësia për të qëlluar civilët me snajper”, është shprehur ai.
Gavezzeni shtoi se nga rreth 500 persona të përfshirë, 230 ishin italianë, duke përbërë pothuajse gjysmën e pjesëmarrësve.
Ai bëri të ditur gjithashtu se disa prej të dyshuarve janë identifikuar dhe emrat e tyre i janë dorëzuar prokurorisë, e cila, sipas tij, ka nisur procedurat për t’i thirrur në pyetje.
Në një zhvillim të ndërlidhur, gazetari kroat Domagoj Margetiq ka publikuar një dokument të nëntorit 1993, të nënshkruar nga Slavko Aleksiq, i cili pretendon të lidhë presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq me këto ngjarje.
Sipas këtij dokumenti, një shtetas italian i identifikuar me inicialet R.R., kishte dhuruar 20 mijë marka gjermane për njësinë e Aleksiqit, ndërsa dorëzimi i shumës thuhet se ishte bërë nga një vullnetar i njësisë, i përmendur si Aleksandar Vuçiq.
Margetiq thekson se dokumenti sugjeron se bëhej fjalë për pagesë shërbimesh, duke përmendur edhe shpërblime shtesë për vullnetarët që ofronin mbështetje logjistike për vizitorët e huaj.
Dokumentet e publikuara përfshijnë gjithashtu urdhra për lëvizje të lirë të mysafirëve dhe materiale të tjera nga arkiva e luftës së Aleksiqit./KP