Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar zgjerimin e grup-moshave për vaksinimin kundër virusit HPV, pas rekomandimit të Komitetit Profesional Këshillues për Imunizim.
Sipas vendimit të ri, vaksinimi do të ofrohet vullnetarisht për të rinjtë deri në moshën 26 vjeç që nuk janë vaksinuar më parë.
Ndërkaq, personat nga 26 deri në 45 vjeç mund të vaksinohen vetëm me rekomandim të mjekut, bazuar në vlerësimin individual.
Vaksinimi rutinë për fëmijët 11–12 vjeç do të vazhdojë sipas kalendarit të rregullt të imunizimit.
Nga IKShPK bëhet e ditur se HPV është një nga shkaktarët kryesorë të kancerit të qafës së mitrës dhe disa sëmundjeve të tjera serioze, ndërsa vaksina konsiderohet e sigurt dhe shumë efektive, sidomos kur merret para ekspozimit ndaj virusit.
Zgjerimi i vaksinimit synon uljen e rasteve të kancerit, mbrojtje më të gjerë për të rinjtë dhe reduktim të kostove të trajtimit në të ardhmen.
Vaksina do të jetë e disponueshme në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike në vend.