Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të martën se Uashingtoni mund ta shohë “vijën e finishit” në luftën me Iranin, e cila tashmë ka hyrë në javën e pestë, dhe se SHBA-ja do të duhet të rishqyrtojë marrëdhëniet me NATO-n pas konfliktit.
“Ne mund ta shohim vijën e finishit. Nuk është sot, nuk është nesër, por po vjen,” tha Rubio në emisionin “Hannity” të Fox News.
Lufta filloi më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin teksa Teherani u përgjigj duke nisur sulme ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit që strehojnë baza amerikane, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael në Iran dhe sulmet izraelite në Liban kanë vrarë mijëra njerëz dhe kanë zhvendosur miliona të tjerë.
Lufta ka rritur gjithashtu çmimet e naftës dhe ka tronditur tregjet globale.
Rubio tha se po shkëmbehen mesazhe mes Iranit dhe SHBA-së dhe se ekziston mundësia për një “takim të drejtpërdrejtë në një moment” mes dy palëve.
“Ka mesazhe që po shkëmbehen, ka bisedime që po zhvillohen. Ekziston mundësia për një takim të drejtpërdrejtë në një moment,” tha Rubio.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë afate dhe objektiva të ndryshme për luftën, që nga rrëzimi i qeverisë së Iranit deri te dobësimi i ushtrisë dhe ndikimit të tij rajonal – tha të martën se SHBA-ja mund t’i japë fund sulmeve ushtarake ndaj Iranit brenda dy deri në tre javësh.
Rubio tha se “nuk ka asnjë qeveri apo vend në botë që po bën diçka për të ndihmuar Iranin që në ndonjë mënyrë po pengon misionin tonë.”
Ai shtoi se Uashingtoni do të duhet të rishqyrtojë marrëdhëniet me NATO-n pas luftës me Iranin.
“Në fund, kjo është një vendim që i takon presidentit dhe ai do të duhet ta marrë. Por mendoj se, fatkeqësisht, do të duhet të rishqyrtojmë nëse kjo aleancë që i ka shërbyer mirë këtij vendi për një kohë të gjatë, ende po e përmbush atë qëllim, apo nëse është kthyer në një rrugë njëkahëshe ku Amerika është thjesht në pozicionin për të mbrojtur Evropën, por kur ne kemi nevojë për ndihmën e aleatëve tanë, ata do të na refuzojnë përdorimin e bazave dhe të hapësirës ajrore,” shtoi ai, duke iu referuar përdorimit të bazave ushtarake.
Liderët evropianë kanë refuzuar të përfshihen drejtpërdrejt në sulme ushtarake kundër Iranit.